Secondary Adv

Nuk ndalet zhvlerësimi i Euros, e mbyll javën me një tjetër rekord të ulët historik

Euro ka vijuar rënien edhe në fund të kësaj jave, duke u këmbyer me 97.42 lekë, një rënie prej 0.12 lekësh.

Pavarësisht ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë për të blerë valutë dhe për të frenuar forcimin e lekut, tendenca mbetet e pandalshme, e ndikuar nga faktorë sezonalë dhe prurjet e larta të valutës për shkak të turizmit dhe remitancave.

 

Kjo periudhë e vitit karakterizohet nga një hyrje masive valutash në ekonomi, kryesisht nga turistët e huaj dhe emigrantët, gjë që shton ofertën për monedhat e huaja, veçanërisht për euron, duke rritur vlerën e lekut.

 

Në raport me monedhat e tjera kryesore, leku ka vazhduar të forcohet.

 

Në kursin e këmbimit valutor paundi britanik ka rënë në 111.72 lekë, me një rënie ditore prej 0.66 lekësh.Franga zvicerane ka zbritur në 104.21 lekë (−0.26); dollari amerikan është ndër të paktat monedha që ka pësuar rritje të lehtë, duke u këmbyer me 83.00 lekë (+0.02).

 

Po kështu, dollari kanadez (CAD) ka zbritur në 60.69 lekë, ndërsa dollari australian (AUD) në 54.46 lekë.

 

Ajo që vihet re, është që edhe ari dhe argjendi, si metale të çmuara, kanë shënuar rënie të ndjeshme në vlerë: një ons ar këmbehet me 277,849.64 lekë (−1,181.36), ndërsa një ons argjend me 3,223.79 lekë (−19.07).

 

Këto lëvizje pasqyrojnë një forcim të vazhdueshëm të lekut në tregun e këmbimit valutor, i cili për momentin po ndikohet më shumë nga faktorë të brendshëm sezonalë. /ekofin.al

 


Më të lexuarat